Faruk Mujkës, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” dhe Hysen Muzliukaj, ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, do të paraqitën sot në gjykatë në seancën fillëstare në procesin kundër tyre ku akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Mujka akuzohet po ashtu për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.
Të dy ngarkohen se duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës në Mitrovicë kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale.
Hysen Muzlikaj kishte qenë një kohë këshilltar i Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen se i shkaktuan dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit në shumën mbi 125 mijë euro.
“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike. Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”, thuhej në njoftimin e prokurorisë para disa dite.









