Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “,“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve“, derisa dëmi konsiderohet mbi 7 milionë euro.
“N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B., I.E., dhe të pandehurit persona juridik: ”A&F P. Sh.p.k, ”S. Sh.p.k”, ”Sh.G Sh.p.k”., kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë mashtruar në procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror”, thuhet në aktakuzë.
“Të pandehurit A.M, N.D., nga 02.04.2019 e deri më 11.03.2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit “Blerja e pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., nga 26.10.2020 deri më 27.11.2023, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900% më të larta se ato të tregut duke i shkaktuar buxhetit dëm prej 2,148,282.35 euro.
“Gjithashtu, në kundërshtim me kushtet e kontratës, kanë lejuar dorëzimin e produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte përcaktuar në kontratë. Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 3,626,243.80 euro”.









