Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kërkesa e Prokurorisë së Gjykatës Speciale për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një akt i turpshëm i shtrembërimit të së vërtetës dhe një sulm politik ndaj luftës çlirimtare.
“Të kërkosh dënime prej 45 vjetësh për krerët e UÇK-së, do të thotë të kriminalizosh rezistencën ndaj okupimit dhe të legjitimosh, krimet e agresorit”, shkroi Rama në Facebook.
Ky proces, thekson ai, nuk synon të zbardhë përgjegjësi individuale, por të godasë vetë aktin e çlirimit dhe ta paraqesë luftën për liri si vepër penale.
Këtu nuk po gjykohen individë, thotë Rama, por “po sulmohet një komb”. “Po tentohet të përmbyset historia duke e zhvendosur fajin nga agresori te viktima, nga shteti që kreu krime te ata që u ngritën kundër tyre”.
“Kjo është padrejtësi e institucionalizuar dhe revizionizëm politik!”, shtoi ai.
Një drejtësi që barazon pushtuesin me të pushtuarin, shton Rama, “nuk është drejtësi”.
“Është një farsë që rrezikon të shndërrohet në njollë të përhershme mbi kujtesën historike dhe mbi vetë nocionin e drejtësisë ndërkombëtare”.









