Është zhvilluar një aksion simbolik kundër ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila u prezantua së fundmi në Prishtinë dhe që rezultoi që Shkelzen Gashi, krijuesi i saj kishte “falsifikuar” shumicën e të dhënave lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë në atë ekspozitë.

Njëri nga organizatorët e këtij aksioni, Astrit Gjocaj, deklaroi se sipas tyre, të gjitha tekstet e paraqitura në këtë ekspozitë përmbajnë gabime.

“Është një aksion simbolik të cilin ne e kemi gjetur prej 3 masakrave që kanë qenë më të mëdha sepse gabime ka pasur në të gjitha tekstet e asaj ekspozite. Qëllimi i kësaj është sepse nuk është vetëm gabimi që është bë në tekstet dhe informatat që janë bë në ekspozitë. Problemi është se edhe gabimi më i madh tendenca me arsyetu vetën dhe me bartë fajin edhe te familjarët me arsyen se ata vet kanë deklaruar se kanë qenë ushtarë të UÇK-së, ndërsa ne e dimë se mund të ishte edhe ushtar i UÇK-së, por mund të ishte burgos dhe në burg nuk ka qenë më ushtar, ka qenë i pambrojtur, civil dhe i paarmatosur” deklaroi Gjocaj.

Ai tha se sigurimi i të dhënave të sakta nuk ka qenë i vështirë, duke përmendur ekzistencën e memorialeve dhe pllakave përkujtimore për viktimat e këtyre masakrave.

“Nuk ka pas nevojë me u bazu në Natasha Kandiç, sepse kanë mund me shku në Krushë me i numëru varret edhe është pllaka me emra. Nuk kanë pasur nevojë me u bazu në Natasha Kandiçin sepse i kanë pasur të gjitha emrat në memorialin në burgun e Dubravës që i ka të gjitha emrat e shënuar dhe me shku me i lexu edhe me i numëru. Gjithashtu nuk ka pasur nevojë për Jasharajt sepse nëse një qytetar i Kosovës nuk e di se sa varre janë në Prekaz dhe bazohet në Natasha Kandiçin unë nuk e di se çfarë qytetari çfarë shqiptari dhe çfarë interesi ke ti me i kontribu luftës dhe dëshmive të saj, kështu që do të thotë që zhgënjimi është më i madh se sa që është bërë ekspozita, se sa që janë dhënë ato pare, kushdo që i ka dhënë në çfarëdo forme që i ka dhënë dhe çfarëdo kritere që i ka dhënë, po kjo tendenca tjetër që me fut përçarjen mes qytetarëve dhe duke dashtë të bëjnë reagimin si politik dhe këto për tema të tilla as nuk duhet të ketë sulme politike, por as mbrojtje politike” tha Gjocaj para mediave.

Tashmë, Prokuroria Speciale ka deklaruar se Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999” do t’i nënshtrohet vlerësimit për t’u përcaktuar nëse përmban elemente penale.

Në një komunikatë për media, Prokuroria ka thënë se Departamenti i tyre për Hetimin e Krimeve të Luftës “është duke përcjellë me vëmendje informacionet publikuara lidhur me ekspozitën ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, e cila ishte vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë”.