Prokuroria Speciale ka njoftuar se 7 persona janë shoqëruar në Polici dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt, gjatë aksionit të zhvilluar në Zubin Potok dhe Zveçan, lidhur me vrasjen e zyrtarit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, A.S.

“Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale në bashkëpunim me Policinë, është zhvilluar një operacion policor në Komunën e Zubin Potokut dhe të Zveçanit, në kuadër të një hetimi lidhur me vrasjen e zyrtarit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë ( EULEX ) A.S., me qëllim të verifikimit të informatave dhe identifikimit të mundshëm të provave relevante”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Aty theksohet se janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale si “dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme”.

Policia ka realizuar bastisje në dy lokacione në Zveçan dhe në shtatë të tjera në Zubin Potok, nën dyshimin për disa vepra penale.