Nën pranga të mërkurën kanë përfunduar nëntë persona, kjo pas një aksioni të gjerë të Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Doganës dhe ATK-së.
Të nëntë të arrestuarit dyshohet se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke përdorur dokumente të rreme lidhur me tatimet, si dhe duke realizuar shitje dhe transaksione fiktive të derivateve të naftës.
Ata specifikisht dyshohet që kanë kryer një sërë veprash penale, duke përfshirë: shpërlarjen e parave, kontrabandimin e mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrjen ose organizimin e grupit kriminal të organizuar, dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin dhe shmangien nga tatimi.
Gjatë bastisjeve të kryera në 21 lokacione nga Policia e Kosovës janë gjetur dhe sekuestruar 15 mijë euro, 5 vetura, 5 autobote për transport të derivateve, 2 armë zjarri, 54 fishekë, pajisje elektronike, dokumente të ndryshme dhe prova të tjera relevante për rastin, si dhe 301 euro në kartëmonedha prej 2 eurosh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
VOX Kosova kishte raportuar për skemën:
Në Kosovë pompat e derivateve, shumica e tyre, janë të përfshira në një mega skemë kriminale. Ato në vend të derivateve importojnë ujë.
Në mundësim të kësaj skeme ndihmojnë institucionet e shtetit të Kosovës.
Se kjo skemë ndodhë e ka pranuar edhe Dogana.
E di edhe Prokuroria në Kosovë dhe SPAK-u në Shqipëri.
VOX Kosova gjithashtu, ekskluzivisht, kishte siguruar edhe pamje të kamionëve që ishin zënë duke importuar ujë në vend të naftës.









