Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka realizuar një sërë operacionesh në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt me qëllim të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, ku ka arrestuar 34 persona.
Gjatë këtyre operacioneve theksohet edhe se janë kontrolluar rreth 50 lokacione të ndryshme, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private, janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprat penale, përfshirë: rreth 170,000 euro para të gatshme, pesë (5) automjete, armë zjarri, si dhe pajisje dhe materiale të tjera të përdorura për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme.
Me vendim të prokurorit kompetent 29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
“Veprime policore në këtë fushëveprim, gjithashtu janë ndërmarr edhe nga hetimet rajonale dhe stacionet kompetente policore, ku ka pasur rezultate konkrete në parandalim dhe po ashtu arrestim të personave të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale. Në totalin e bastisjeve/kontrolleve dhe arrestimeve janë përfshirë edhe veprimet e ndërmarra policore në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione të ndryshme, 8 persona janë arrestuar dhe nga ta 4 janë dërguar në mbajtje”, thuhet në komunikatë.
“Këto operacione përfaqësojnë një angazhim të fuqishëm dhe të koordinuar institucional në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda, krimit ekonomik dhe organizimit të aktiviteteve të paligjshme që cenojnë rendin juridik dhe sigurinë publike”.









