Ky lajm është përditësuar

Ushtruesja e detyrës së Kryeshefes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) – që operon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – Igballe Rexha është arrestuar nga Policia e Kosovës si e dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve, merr vesh VOX Kosova nga burimet brenda organeve të rendit.

Ajo është arrestuar në aksionin e Policisë së Kosovës që u zhvillua në mëngjesin e së mërkurës. Përveç saj, VOX merr vesh se është arrestuar edhe Florije Lecaj, aprovuese e lëndëve në ARBK, dhe Albina Isufi, zyrtare për procesim të të dhënave në ARBK.

E dyshuara kryesore është Lecaj. Ajo dyshohet për ndërrim të aksioneve të bizneseve pa aprovim të pronarëve. Sipas burimeve të redaksisë, ajo dyshohet se ka kryer disa ndërrime të aksioneve që kanë çuar në shoqërimin e saj në polici.

Aksioni u konfirmua më herët edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Ata thanë se po zhvillohet për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,  për shkak të dyshimeve  për kryerjen e veprave penale ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ ‘sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’, sipas nenit 391 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë theksohet se është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit.