Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se është duke udhëhequr një operacion të përbashkët me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Operacioni është ende në zhvillim dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë “për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve”.

“Sapo të përfundojë operacioni, do të bëhen publike më shumë informacione,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ata kanë theksuar se Prokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore të nevojshme në përputhje me ligjet në fuqi.