Një aksion i madh është duke u zhvilluar në të gjitha komunat e Kosovës, i udhëhequr nga Prokuroria e Prizrenit, ku në shënjestër janë 40 të dyshuar lidhur me kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim i dokumentit”.

Lajmin është konfirmuar nga kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili ka theksuar se target janë 40 të dyshuar. “Po udhëhiqet nga Prokuroria e Prizrenit. Bëhet fjalë për mbi 40 të dyshuar”, tha Kryeziu në një përgjigje për VOX Kosova.

Ndër personat e arrestuar janë ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, si dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave në BKS, Valon Berisha. Ata dyshohet se kanë përfituar jashtëligjshëm mjete financiare nga Byroja e Sigurimeve, duke shfrytëzuar detyrat e tyre dhe duke keqpërdorur besimin e qytetarëve.

Ndërkaq, Byroja Kosovare e Sigurimeve ka njoftuar se rasti i fundit, i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

“Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.