Prokuroria Speciale e Kosovës ka arrestuar të hënën dy persona me inicialet A.G dhe R.Z, të dyshuar për keqpërdorim në prokurim publik.

“A.G dyshohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së’, ndërsa R.Z për ‘Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” si dhe të një subjekti privat.

Në njoftim theksohet se urdhër kontrolli është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të tenderimit.

Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme.

Foto e publikuar nga Sistemi Prokurorial, pas bastisjeve.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër korrupsionit.