Vatikani paralajmëroi për rrezikun e një apokalipsi të nxitur nga inteligjenca artificiale vite përpara se kompanitë e mëdha amerikane të ngrinin alarmin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mërkurën – një shqetësim që Papa Leo po e vendos në qendër të papatit të tij.
Papa Leo, i cili në maj u bëri thirrje liderëve botërorë për rregulla globale për mbikëqyrjen e industrisë, i përsëriti paralajmërimet e tij për inteligjencën artificiale në një takim në Vatikan të enjten dhe pritet ta bëjë sërish të premten, në një fjalim në selinë e UNESCO-s, organizatës së OKB-së për kulturën dhe arsimin, në Paris.
“Për Selinë e Shenjtë, kjo nuk po ndodh në ditën zero”, i tha Reuters-it At Paolo Benanti, një këshilltar i rëndësishëm i Vatikanit për çështjet e inteligjencës artificiale, duke iu referuar thirrjeve të fundit për ngadalësimin e zhvillimit të saj, të mbështetura ndër të tjera nga drejtuesit ekzekutivë të kompanive të inteligjencës artificiale Anthropic, OpenAI dhe xAI.
“Fuqia transformuese e inteligjencës artificiale… mund të shkaktojë ndryshime shoqërore në një përmasë që është shumë e vështirë të parashikohet”, tha Benanti, një akademik italian i cili së fundmi mori pjesë në samitin për inteligjencën artificiale të organizuar nga Mbreti Charles i Britanisë.
Prifti tha se nuk mund të zbulonte detaje rreth përmbajtjes së diskutimeve konfidenciale të samitit.
Në një fjalim para Akademisë Papnore të Shkencave të enjten, Leo tha se inteligjenca artificiale mund t’i sjellë përfitime njerëzimit, por ajo ka sjellë “rreziqe të reja për sigurinë dhe paqen ndërkombëtare”. Ai u bëri thirrje liderëve botërorë që “ta qeverisin me mençuri” mbikëqyrjen e kësaj teknologjie.
Leo, Papa i parë i lindur në SHBA, ka ngritur shpesh gjatë 16 muajve të papatit të tij shqetësimet për rreziqet e mundshme të zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe e diskutoi publikisht këtë çështje për herë të parë në ditën e tretë të mandatit të tij.
Në thirrjen e tij të majit, të publikuar si dokumenti i tij i parë madhor, Leo paralajmëroi se sistemet e inteligjencës artificiale përhapin dezinformata, i japin përparësi konfliktit dhe mund ta çojnë botën drejt një rruge lufte të pafundme.
Kardinali Pietro Parolin, diplomati më i lartë i Vatikanit, përsëriti thirrjen e Leos për rregullim ndërkombëtar të industrisë në një aktivitet në Romë javën e kaluar, duke paralajmëruar se vendet nuk mund të “veprojnë të vetme” sa i përket kësaj teknologjie.
“E ardhmja e njerëzimit është vërtet në lojë këtu”, tha Parolin. Sipas tij, bota ka nevojë për “përfshirjen e të gjithëve në vendosjen e disa rregullave të përbashkëta që mund ta rregullojnë realisht këtë fenomen”.
Chris Olah, bashkëthemelues i Anthropic, foli në aktivitetin e Vatikanit për publikimin e dokumentit të majit të Papës, i njohur si enciklikë.
I pyetur nëse Vatikani është në dialog të vazhdueshëm me ndonjë kompani të inteligjencës artificiale, Benanti theksoi natyrën e decentralizuar të Kishës globale dhe tha se disa diskutime po udhëhiqen nga peshkopë lokalë.
Më 16 shtator, Konferenca e Ipeshkvijve Katolikë të SHBA-së tha se kishte krijuar një grup të ri pune për inteligjencën artificiale, pasi disa prej drejtuesve të saj u takuan atë ditë me drejtues të kompanive.
“Dialogu u përqendrua në mënyrat për të garantuar që çdo sistem i inteligjencës artificiale të mbetet në shërbim të njerëzimit dhe në nevojën urgjente për të trajtuar rreziqet reale dhe të pranishme që paraqet kjo teknologji”, thuhej në një deklaratë.
Vatikani filloi të paralajmërojë për rreziqet e inteligjencës artificiale në vitin 2019, duke organizuar atë vit dy konferenca mbi rreziqet e mundshme të kësaj teknologjie. Papa i ndjerë Françesku paralajmëroi pjesëmarrësit në njërën prej tyre se dezinformimi i përhapur nga inteligjenca artificiale mund të shkaktonte një luftë botërore.
Vatikani gjithashtu bashkëpunoi në vitin 2020 me Microsoft, IBM, Organizatën e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë dhe qeverinë italiane për të bërë thirrje për zhvillimin e inteligjencës artificiale që “nuk ka si qëllim të vetëm fitimin më të madh apo zëvendësimin gradual të njerëzve në vendet e punës”.
Leo ka kërkuar mbikëqyrje veçanërisht për zhvillimin e sistemeve të armëve, si ato që po përdoren në luftën Rusi-Ukrainë. Në enciklikën e tij, ai tha se armë të tilla kanë përparuar “praktikisht përtej çdo mundësie njerëzore për t’i kontrolluar”.
Avokimi i Vatikanit në skenën globale kundër armëve autonome daton prej dekadash, tha Benanti, duke i krahasuar dronët e fuqizuar nga inteligjenca artificiale me minat tokësore, të cilat nuk bëjnë dallim mes objektivave.
Prifti i krahasoi paralajmërimet e Vatikanit për rreziqet e inteligjencës artificiale me thirrjet e kahershme të papëve për çarmatimin bërthamor.
“Nëse armët bërthamore mund ta shkatërrojnë njerëzimin… manipulimi i përmbajtjes së krijuar nga inteligjenca artificiale në hapësirat sociale mund të shkatërrojë aftësinë e njerëzve për të qëndruar së bashku si shoqëri”, tha ai.
“Armët bërthamore duhet të ruhen në objekte të posaçme dhe mund t’i numërosh e t’i kontrollosh. Inteligjenca artificiale nuk është e tillë, e dukshme”.









