Dy vjet më parë, më 24 shtator 2023, një grup paramilitarësh serbë, të udhëhequr nga kryekrimineli Milan Radoijçiç, sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – me synim aneksimin e Veriut të vendit.
Në këtë sulm, mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe u plagos një tjetër. Gjatë përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe terroristëve serbë më pas mbetën të vrarë tre kriminelë serbë.
Shumica e terroristëve arritën që të largoheshin në Serbi, ndërsa 3 prej tyre u arrestuan nga policia.
Këtë sulm e mori përsipër Radojiçiç, atë kohë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai arriti që të arratisej për në Serbi, ku edhe besohet që gjendet aktualisht i lirë.
Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Radojiçiç-it dhe 44 personave të tjerë për veprimtari terroriste.
Përveç Radojiçiç-t, edhe të pandehurit tjerë janë në arrati. Ndaj të gjithë këtyre, Interpol-i lëshoi fletarrestim në dhjetor të vitit 2023.
Vetëm tre të akuzuar gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliç, Bllagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të akuzuarit dyshohen për terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit Kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Radojiçiç ishte ndaluar nga institucionet serbe, por pas marrjes në pyetje nga Prokuroria në Beograd, në tetor 2023, ishte lënë i lirë.
Kosova e ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë për këtë sulm, derisa kishte kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ndërmarrë masa ndaj Beogradit zyrtar dhe se terroristët t’i dorëzohen autoriteteve kosovare.
Nga ana tjetër, Serbia nuk ishte distancuar fare nga sulmi, madje kishte shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar njëzëri sulmin, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.









