Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, është paraqitur në Prokurorinë Speciale të enjten, për t’u intervistuar përsëri në lidhje me aferën e rezervave shtetërore.
Për të njëjtin rast, Hajdari ishte intervistuar edhe para një viti nga ky organ hetues. Përveç saj, të enjten Prokuroria do ta intervistojë edhe ish-sekretarin e MINT-it, Irfan Lipovica.
Si dëshmitar është ftuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Por, ai po e shmang ftesën vazhdimisht, duke refuzuar të paraqitet në prokurori. Ai po kërkon që “diskutimi” të bëhet në zyrën e tij. Madje, Kurti akuzoi sistemin prokurorial se “ka qëllim të prodhojë lajm ndërkombëtar që kryeministri të intervistohet për një rast korrupsioni”.
Në kohën e pandemisë, MINT kishte porositur me kontrata njëburimore disa mallra për rezervën shtetërore, si miell, sheqer dhe vaj. Mirëpo, një sasi e madhe e tyre nuk kishte ardhur.









