Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duhet të ishte i akuzuar nga Prokuroria për çështjen e rezervave shtetërore.

Këto komente, i ka bërë deputeti i LDK-së, Alban Zogaj dhe anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Berat Rukiqi, në një konferencë për media të enjten, një ditë pasi që Prokuroria Speciale i ngriti aktakuzë Rozeta Hajdarit dhe tre personave të tjerë për aferën e rezervave shtetërore.

“Kryeministri ka ikur poshtë e nalt, nuk është paraqitur si dëshmitar, tani këtu në aktakuzë figuron si dëshmitar, do të duhej të ishte i akuzuar, sipas vlerësimit tonë, për shkak se ka përgjegjësi penale dhe politike në këtë rast”, tha Rukiqi.

Sipas Zogajt, ky nuk është thjesht një rast administrativ. “Ky është një rast që e prek sigurinë kombëtare, financat publike dhe integritetin institucional të shtetit tonë”, deklaroi ai.

Sipas Rukiqit, ky rast e tregon qartë “natyrën e keqqeverisjes dhe korrupsionit të Qeverisë në largim, të Qeverisë Kurti”.

“Nuk është çështja e vlerës, sa është çështja e natyrës kriminale të marrjes së vendimeve në këtë Qeveri”, shtoi.

Ai konsideron se përgjegjësi kryesor për këtë rast është Kurti. “Ai ka lejuar, ka qenë i informuar dhe ka qenë në dijeni dhe ka lehtësuar këtë formë të marrjes së vendimeve”.

“Kjo vërtetohet për shkak se nisjen, lehtësimin, buxhetimin, autorizimin e avancave, pagesave – të gjitha këto ka qenë të mundësuara me një vendim të nënshkruar nga Kryeministrti Kurti”.

Sipas tij, Kurti e ka krijuar “terrenin e përshtatshëm që pastaj tërë ky proces me u bart te një person privat”, duke iu referuar biznesmenit Ridvan Muharremi, dhe tek “kompanitë e dyshimta që asnjëherë jo që nuk i kanë sjellë ato për të cilat kanë qenë të paguara, por edhe ato që i kanë sjellë me çmime shumë më të larta”.