Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Evropa të marrë përsipër shumicën e kapaciteteve konvencionale të mbrojtjes të NATO-s, që nga inteligjenca deri tek raketat, deri më 2027, u kanë thënë diplomatëve evropianë zyrtarë të Pentagonit amerikan, duke shënjuar kështu një afat të ngushtë kohor, i cili i ka goditur zyrtarët evropianë.

Mesazhi u tha në një takim në Washington këtë javë me stafin e Pentagonit që po shqyrtonte politikat e NATO-s dhe disa delegacione evropiane, raporton Agjencia e Lajmeve Reuters.

Në takim, zyrtarët e Pentagonit kanë lënë të kuptohet se Washingtoni nuk është ende i kënaqur me përpjekjet e Evropës për të rritur kapacitetet mbrojtëse edhe pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Zyrtarët amerikanë u kanë thënë se nëse Evropa nuk respekton afatin e 2027-së, SHBA-ja mund të ndalojë së marri pjesë në disa prej mekanizmave koordinues të mbrojtjes, kanë thënë burimet për Reuters, ndërsa kanë kërkuar anonimitet për të diskutuar këto tema.