Nesër është afati i fundit që partitë politike të regjistrohen për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Ndërsa të dielën, deri në orën 23:59, partitë duhet të deklarojnë edhe koalicionet.

“Deri më 30 nëntor, subjektet duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Formulari, i cili është i ngjashëm me atë të proceseve të kaluara zgjedhore, është i vendosur në platformën elektronike të KQZ-së dhe i njëjti duhet të plotësohet online”, ka thënë për Vox Kosova, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 nëntor 2025”, tha ai.

Ai gjithashtu ka njoftuar se deri më 7 dhjetor, partitë që do të garojnë në zgjedhje duhet të dorëzojnë listat me kandidatë për deputetë.

Partia Demokratike e Kosovës do të ketë në listën e saj, por jo në formë koalicioni, kandidatë nga Lista për Familjen – subjekt i krijuar vitin e kaluar nga dy ish-deputetë të Vetëvendosjes, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica.

Lidhja Demokratike e Kosovës, tash e disa ditë, është në bisedime për bashkëpunim me Nismën për Kosovën të Fatmir Limajt, por ende nuk ka sinjale nëse kjo do të rezultojë pozitive – qoftë përmes një koalicioni zyrtar apo përmes përfshirjes së kandidatëve të Nismës në listën e LDK-së.

Vetëvendosje do të garojë sërish bashkë me partinë GUXO dhe Alternativa.

Me këto dy parti, ajo garon që nga viti 2020, si në zgjedhjet nacionale, dhe ka bashkëpunuar në zgjedhjet lokale.

Nga ana tjetër, pritet që Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Dardan Molliqaj të mos jetë pjesë e garës. Ajo mori pjesë në zgjedhjet lokale në dy komuna me kandidatë për kryetarë – në Deçan dhe Kamenicë, e ndërsa në Prishtinë garoi vetëm për asamble.