Partia Demokratike e Kosovës kërkon kompromis për çështjen e Presidentit, i cili duhet te zgjidhet në fillim të marsit.

Kështu ka thënë deputeti i PDK-së, Artan Behrami, në një prononcim për Ekonomia Online.

“Ne kërkojmë dialog kompromis ndërpartiak për të gjetur një figurë për President ose Presidente, i cili ose e cila respekton kushtin kryesor që është në Kushtetutën e Republikës së Kosovës që përfaqëson unitetin qytetar të Republikës së Kosovës”, tha Behrami.

Deri më tani, Behrami thekson se nuk ka pasur asnjë takim serioz mes partive politike për çështjen e Presidentit.

“Unë besoj që kjo do të ndodhë në ditët në vazhdim dhe pozicioni i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë ajo duhet të ndodhë përmes një dialogu ndërpartiak, sepse edhe figura e Presidentit duhet të jetë mbi partiak dhe duhet të respektojë konsensusin e kësaj shoqërie”, potencoi ai.

Deputeti i PDK-së theksoi se nuk ka pasur ndonjë ftesë për takim nga Vetëvendosja, por thotë se Kryetari i partisë, Bedri Hamza, do ta pranojë kurdo që të ketë.

“Kryetari zoti Bedri Hamza tashmë e ka bërë të qartë që nëse ka një ftesë të tillë pa dyshim që ai do të merr pjesë për të diskutuar jo vetëm me VV-në por edhe me partitë tjera për të gjetur një figurë e cila e unifikon popullin e Kosovës dhe e cila i respekton edhe këto kritere edhe këto vlera në të cilat beson PDK-ja”, deklaroi ai ndër të tjera.