Kur kanë mbetur edhe 3 ditë afat kushtetues, partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit. Nëse deri më 6 tetor, deputetët e Kuvendit nuk e zgjedhin të parin e shtetit, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Takime mes krerëve të partive politike për çështjen e Presidentit ka pasur. Ishin takuar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Por, nuk pati ndonjë rezultat.
Hamza, të shtunën, përsëriti qëndrimin e partisë së tij që fillimisht të votohet Ligji për Dhomat e Specializuara në të dyja leximet dhe menjëherë pas kësaj, në të njëjtën ditë, janë të gatshëm që të kontribuojnë për zgjedhjen e Presidentit.
Kreu i PDK-së potencoi se “bisedat i kemi përfunduar” me Kurtin.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kishin arritur një marrëveshje për emrin e Bekim Sejdiut, por gjashtë deputetë të LDK-së kishin dalur kundër tij, çka bëri që Sejdiu të tërhiqet nga gara.
Për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, Kosova kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor.
Aktualisht, Kosova është me ushtruese detyre të Presidentes. Këtë pozitë e mori Albulena Haxhiu pasi që Vjosa Osmanit më 4 prill i përfundoi mandati 5 vjeçar.









