Kur kanë mbetur edhe 17 ditë afat kushtetues, partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

Për këtë çështje, të shtunën u deklarua Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai bëri të qartë përsëri se partia që drejton nuk mbështet asnjërën nga kandidaturat aktuale të Vetëvendosjes Glauk Konjufcën dhe Fatmir Kollçakun.

Në takimin që pati me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën, kreu i LDK-së theksoi se nuk ka folur për ndonjë emër, pos dy të propozuarve, por pohoi se nuk e mbështet assesi propozimin që tri pozitat shtetërore t’i takojnë një partie.

“Kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha Abdixhiku, duke theksuar se nuk ka propozuar emra për President dhe paralajmëroi takime të tjera me Kurtin javën e ardhshme.

Ai tregoi edhe se është takuar me Kryetarin e Partisë Demokratike, Bedri Hamza, me të cilin tha se ka diskutuar “pozicionin e tyre” për çështjen e Presidentit, derisa konfirmoi refuzimin e takimit nga ana e Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Abdixhiku u pyet nëse e synon vetë pozitën e të parit të shtetit, por mohoi kategorikisht një gjë të tillë, duke potencuar se “s’ka gjasa të vetëpropozohem sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale”.

Në qoftë se nuk ka marrëveshje, Abdixhiku tha “përgatitemi për zgjedhje të reja”.

Një kandidate “e shkëlqyer” për Presidente, Abdixhiku deklaroi se ka qenë Vjosa Osmani, e cila nuk u kandidua nga VV-ja edhe për një mandat si Kryetare e shtetit.

Nga VV-ja kanë thënë se Kurti është duke “u angazhuar maksimalisht” për çështjen e Presidentit.

“Kryeministri Kurti ka pasur takim me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Besoj që ai është duke vazhduar angazhimin maksimal të tij si Kryetar i Lëvizjes dhe si përfaqësues i joni”, tha Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mërkurën.

Ajo theksoi se gjatë këtyre ditëve “do të intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjedhje dhe që Presidenti të votohet brenda afatit që e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese”.

Pas vendimit të Kushtetueses, Kurti është takuar vetëm me Kryetarin e LDK-së dhe jo me atë të PDK-së. Nga partia e Hamzës kanë thënë se presin një ftesë zyrtare për takim, e cila, siç theksojnë ata, ende nuk u është dërguar.

Aktualisht, Kosova është me ushtruese detyre të Presidentes. Këtë pozitë e mori Albulena Haxhiu pasi që Vjosa Osmanit më 4 prill i përfundoi mandati 5 vjeçar.

Seanca e 5 marsit për zgjedhjen e Presidentit kishte dështuar për shkak të mungesës së korumit. Një ditë pas kësaj, ish-Presidentja Osmani kishte shpërndarë Kuvendin.

Dekreti i saj ishte dërguar në Kushtetuese nga VV-ja. Akti më i lartë juridik i vendit konstatoi se dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve 34 ditë që ta zgjedhin Presidentin.

Nga ky afat kanë mbetur edhe 17 ditë. Nëse brenda këtyre ditëve nuk ka President të ri, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.