Adnan Rrustemi, deputet i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se seanca konstituive nuk po thirret për shkak se po i jepet mundësi bisedimeve mes subjekteve politike për formimin e institucioneve.
“Po i japim kohë dhe mundësi bisedimeve, nuk po thirret menjëherë, sepse edhe sot e nesër do të mund të mbahej kjo seanca konstituive. Nuk e di se kur do ta thërrasë ushtruesja e detyrës së presidentes, por megjithatë duket që po u jep mundësi bisedimeve. Nëse arrihet ndonjë konkretizim e arritje gjatë këtyre ditëve para seancës, do t’i kontribuonte efikasitetit të krijimit të institucioneve”, tha Rrustemi për “Ekonomia Online”.
Pasi që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit u certifikuan, seanca konstituive, sipas afateve kushtetuese, duhet të thirret deri më 7 gusht më së largu.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, takoi më 10 korrik liderët e partive opozitare: Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës, për të diskutuar për formimin e institucioneve, por nuk pati ndonjë rezultat.
Nga ana tjetër, Abdixhiku, për shkak të nismës për shkarkimin e tij nga pozita e Kryetarit, tha se i ka ndërprerë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve.
Lëvizja Vetëvendosje ka 53 deputetë. Bashkë me votat e komuniteteve joshumicë joserb i ka votat për ta bërë Qeverinë dhe zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, për shkak se duhet shumicë e thjesht prej 61 deputetësh.
Por, nuk i ka votat për President, pasi që duhen 80 deputetë të qëndrojnë në sallë për të marrë pjesë në votim. Pikërisht për shkak të çështjes së Presidentit, Kosova shkoi në zgjedhje më 7 qershor.
Në ato zgjedhje, vetëm Vjosa Osmani garoi si kandidate për Presidente në listën e LDK-së. Por, Rrustemi thekson se Osmani nuk është opsion i VV-së për President, pasi që konsideron se nuk është figurë konsensuale.
“Osmani nuk është figurë konsensuale. Ajo është tashmë një politikane aktive. Ka qenë bartëse e listës së një partie politike dhe është deputete në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, nuk është figurë konsensuale në kuadër të përpjekjes për një president jo partiak”, potencoi ai.









