Arben Gashi, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka adresuar kritika ndaj lidershipit të partisë, duke kërkuar një udhëheqësi të re, pasi që u la jashtë Kryesisë së LDK-së nga Kryetari Lumir Abdixhiku.

“LDK-së i duhet një cikël i ri, me lidership dhe energji të re, me besim të rikthyer mbi vlerat e saj autentike”, shkroi Gashi në Facebook të mërkurën.

Ai tha se që nga përfundimi i zgjedhjeve të shkurtit 2025 – në të cilat LDK-ja mori rezultat tejet të dobët – ka folur hapur brenda strukturave të LDK-së për gjendjen në parti dhe “për humbjen e besimit të brendshëm”.

“Kam propozuar veprime konkrete për distancim nga parregullsitë dhe për krijimin e një momentumi të ri, gjithëpërfshirës, konkurrues dhe me vizion të qartë”, shtoi ai.

Por, thekson se këto propozime “nuk gjetën përkrahje në votim, edhe pse realiteti u pranua në fjalë”. “Kam refuzuar përjashtimet dhe kam kërkuar unitet. Jo për individë, por për një ide: që një parti që synon të udhëheqë, duhet së pari të jetë e bashkuar dhe e drejtë me vetveten”, pohoi.

Në këtë drejtim, Gashi vlerëson se hendeku mes LDK-së dhe votuesit “nuk është rastësi, është pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë”.

“Sot, Kosovës i mungon më shumë se gjithçka tjetër besimi dhe shpresa. I duhet një politikë që pranon realitetin, por ndërton të ardhmen. I duhet një angazhim i sinqertë që e kthen qytetarin në qendër, i duhen vlerat e vërteta të LDK-së”, potencoi ai.

Ish-deputeti i disa legjislaturave theksoi se beson që këto vlera mund të rikthehen, teksa shton se për këtë “do të angazhohem pa hezitim”. “Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë: në anën e parimeve, të votuesit dhe të së vërtetës”, shkroi Gashi ndër të tjera.