Ish-kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, do të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një postimi në Facebook të dielën.

“Kosova sot ka nevojë për profesionistë që sjellin përvojë, qetësi dhe rezultate. Prandaj, me respekt e mirëprita Besim Hasanin në listën tonë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit”, shkroi Hamza.

Hasani, siç thotë ai, bëri punë të jashtëzakonshme për anëtarësimin e Kosovës në familjen olimpike botërore, “duke hapur një epokë të re për sportin tonë dhe për medaljet që erdhën më pas. Kontributi i tij është një shembull i vizionit dhe përkushtimit”.

Me njerëz të tillë, Hamza theksoi se Kosova ecën përpara. “Bashkë, me energji të re dhe besim të plotë, do ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, përfundoi.