Vlora Çitaku, deputete dhe funksionare e lartë e Partisë Demokratike të Kosovës, ka përçmuar dy emërimet ekzekutive që i pari i Qeverisë, Albin Kurti, i kreu të premten e 1 majit, duke e quajtur veprimin “mentalitet abuzues ndaj shtetit”.
“Në universin e Albin Kurtit, Kuvendi nuk është shpërndarë dhe Qeveria nuk është në detyrë. Njeriu vazhdon të emërojë zëvendësministra, të hapë konkurse për pozita të larta në shërbimin civil, të bëjë emërime e shkarkime gjithandej, sikur asgjë nuk ka ndodhur”, ka shkruar Çitaku.
“Ky nuk është funksionim institucional. Është mentalitet abuzues ndaj shtetit”.
Sekretarja e partisë më të madhe opozitare në vend ka thënë po ashtu se një logjikë e tillë që trajton institucionet sikur “pronë private”, sipas saj dëmton demokracinë dhe nënçmon qytetarët.
“Kur pushteti sillet sikur institucionet janë pronë private, demokracia dëmtohet dhe qytetarët nënçmohen.”
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar të premten dy zëvendësministra.
Siç njoftoi zyra e Kryeministrit, Ali Dula, ish-kandidat i Vetëvendosjes për Kryetar të Rahovecit, është emëruar në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë për Zhvillim Rajonal.
Ndërsa, Agon Batushën e ka emëruar në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.









