A ju kujtohet ky dëshmitar në Gjykatën Speciale, në procesin e krerëve të UÇK-së?

“Hupshin lopët pa shenja. Edhe mu ma kanë vjedhë mëzatin, lopën”, dëshmitari Agim Idrizi.

Ankesa të çuditshme për largim nga puna, për refuzim të pensionit, për çështje pronësore e të tjera, që nuk kishin fare të bënin me mandatin e Gjykatës Speciale, kanë shkuar nga Kosova në Hagë që nga viti 2018.

Në vitin 2024, sipas raportit të Avokatit të Popullit në Gjykatën Speciale, një serbe u ankua se, siç pretendonte ajo, për shkak të etnisë, Qeveria e Kosovës nuk ia kishte ndarë shtesat për fëmijë dhe as 100 eurot e shpërndara për Vitin e Ri.

Një person tjetër, po në vitin 2024, u ankua në Gjykatën Speciale se ishte larguar nga puna si mësimdhënës. Ai akuzonte drejtorin e shkollës si të përfshirë në aktivitete kriminale e nepotizëm dhe, sipas tij, kjo kishte çuar në shkarkimin e tij dhe refuzimin për ta rikthyer në vendin e punës.

Një shtetase e huaj, që thuhet se vinte nga një vend që nuk e njeh Kosovën shtet, u ankua në Gjykatën Speciale se Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ia kishte refuzuar kërkesën për shtetësi në mënyrë të pajustifikuar, se pasaporta i ishte konfiskuar në mënyrë të paligjshme dhe se mbahej në një qendër paraburgimi në kushte çnjerëzore.

Në vitin 2018, një person ankohej se kërkesa e tij për pension, për shkak të aftësisë së kufizuar për punë, ishte refuzuar nga autoritetet shtetërore të Kosovës dhe se, përkundër kontakteve të shumta, institucionet nuk i kishin dhënë përgjigje.

Një tjetër u ankua se institucionet ia kishin refuzuar kërkesën për asistencë sociale.

Një shtetas i huaj u ankua në Gjykatën Speciale me pretendimin se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëbanuesi i tij, e ku thuhet se ishin përfshirë edhe katër persona të tjerë, mes tyre edhe tre zyrtarë policorë.

I njëjti deklaroi se kishte kërkuar azil në Kosovë për arsye mjekësore dhe humanitare, si dhe se nuk mund të kthehej në vendin e tij të origjinës, pasi kishte frikë nga përndjekja.

Disa ankesa të tjera kanë të bëjnë me konteste pronësore që nuk po zgjidhen me vite në gjykatat e Kosovës.

Këta individë, me vetëdije ose pa vetëdije, iu drejtuan Gjykatës Speciale duke kërkuar drejtësi.

Por paradoksi në këtë mes është se vetë ky institucion është shndërruar në një gjykatë ku nuk korrigjohen padrejtësitë, por, në vazhdimësi, prodhohen padrejtësi të reja.