Filozofia u përqafua nga film noir, nga Vala e Re Franceze dhe nga vrasës modernë që vënë në dyshim kuptimin e jetës. Tani, nxirrni nga dollapi rollkat tuaja, sepse “Sirāt” dhe një version i ri i romanit “The Stranger” (“I Huaji”) të Albert Camus duket se do ta bëjnë sërish në modë melankolinë ekzistenciale.

“Që gjithçka të përmbushej, që të ndihesha më pak vetëm, më duhej vetëm të dëshiroja një turmë të madhe në ditën e ekzekutimit tim dhe që ata të më përshëndesnin me britma urrejtjeje”.

Fundi therës i librit “I Huaji” të Camus nuk është diçka që do ta shihni si këshillë jete në ndonjë përshkrim Instagrami të një influenceri. Në epokën e vetëndihmës boshe të rrjeteve sociale, adaptimi i ri filmik nga François Ozon ngrihet si një monolit i madh. Tetëdhjetë e katër vjet pas botimit të romanit, kjo është disi e papritur; për sa i përket pronësisë intelektuale, “The Stranger” ishte ndoshta shumë më poshtë në listën e rikthimeve të industrisë së filmit krahasuar me “Cloudy With a Chance of Meatballs”.

A do të thotë kjo që ekzistencializmi është papritur sërish në modë? Apo, filmi është thjesht një turne lamtumire për burimin e preferuar të citimeve për tatuazhe të çdo studenti melankolik?

Duhet thënë se versioni i Ozon është një përmirësim i madh krahasuar me përpjekjen e gabuar të vitit 1967 nga Luchino Visconti. I xhiruar në një bardhë e zi të ftohtë dhe elegant, filmi i ri është një interpretim i rafinuar por i mprehtë. Aktori i ri Benjamin Voisin është i shkëlqyer si antiheroi Meursault, i cili mbetet i pandikuar nga vdekja e nënës së tij dhe thotë se shkëlqimi i diellit e shtyu të vriste një arab. Ky Meursault është më i ashpër dhe jokonformist, ndonjëherë duke u dukur si një Patrick Bateman sociopatik i epokës koloniale. Ozon gjithashtu vendos theks të fortë politik, duke e rishikuar historinë përmes marrëdhënieve koloniale që në fillim.

Por, a mjafton kjo relevancë bashkëkohore për të ringjallur ekzistencializmin – filozofinë që vë në pikëpyetje vlerën dhe qëllimin e jetës në mungesë të Zotit? Bota e mesit të shekullit me intelektualë si Jean-Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir sot duket e largët sa Greqia e lashtë. Për shumë të rritur modernë, të përballesh me një univers pa kuptim ndodh vetëm kur GPS humbet sinjalin. Zoti mund të jetë “i vdekur”, por feja e re e teknologjisë ka sjell premtime të reja për përjetësi. Ekzistencializmi duket sikur e ka kaluar datën e skadencës.

Filozofia nuk pati ndikim të madh të drejtpërdrejtë në kinema, pjesërisht sepse kishte pak tekste letrare për t’u adaptuar. Vepra të Sartre nuk janë bërë filma, ndërsa nga Camus është adaptuar vetëm “The Plague”. Kafka, megjithëse jo ekzistencialist i deklaruar, është trajtuar më mirë në kinema, sidomos në versionin e Orson Welles të vitit 1962 të “The Trial”.

Do të prisje që Vala e Re Franceze ta përqafonte ekzistencializmin – dhe në një farë mase e bëri. Personazhe si rebelët e rinj në filmat e Jean-Luc Godard apo François Truffaut mishërojnë këtë frymë, duke kërkuar kuptim në një botë të pasigurt. Por, shpesh këto eksperimente dukeshin më shumë si lojëra artistike sesa një revolucion metafizik i vërtetë.

Në SHBA, regjisorë emigrantë si Fritz Lang dhe Billy Wilder e shndërruan paranojën europiane në ekzistencializëm popullor përmes film noir. Detektivë, mashtrues dhe endacakë përballeshin me një univers pa kuptim, shpesh të shprehur me replika të mbushura me lodhje ekzistenciale.

Nga kjo traditë doli figura e vrasësit ekzistencialist – nga Alain Delon në “Le Samouraï” deri te filma modernë si “Collateral” ose “The Killer”. Këto personazhe shpesh detyrohen të përballen me kuptimin e ekzistencës së tyre.

Ky hero ekzistencial është bërë pjesë e përditshme e kulturës: nga Travis Bickle në “Taxi Driver”, te robotët e “Blade Runner”, te Jim Carrey në “The Truman Show” dhe personazhet e Christopher Nolan. Rikthimi i “The Stranger” nuk është thjesht nostalgji, por një çelës për të kuptuar rrënjët e këtij kërkimi metafizik.

Megjithatë, me fokusin politik, a është versioni i Ozon vërtet ekzistencialist? Romani i Camus nuk është hapur antikolonialist. Në film, përkundrazi, ky aspekt është shumë i theksuar. Kjo e bën filmin politikisht të fortë, por njëkohësisht e largon nga rrënjët ekzistenciale të historisë – nga pyetja për qëllimin individual në botë.

Këto shqetësime dikur u konsideruan si mendime adoleshentësh. Sot, ideja e Sartre se “ekzistenca i paraprin esencës” tingëllon si slogan reklame. Por, shkëndija e ekzistencializmit nuk është shuar plotësisht. Individualizmi i tij mund të jetë më tërheqës se kurrë në një botë të uniformizuar nga algoritmet.

Një film tjetër i fundit që e kap këtë ndjenjë është “Sirāt” i Olivier Laxe. Ai përshkruan një grup njerëzish që ecin mbi një vijë të hollë mes jetës dhe vdekjes. Ankthi dhe të përzierat – dy elemente kyçe të ekzistencializmit – janë të pranishme kudo.

Sfondi i filmit sugjeron një luftë të tretë botërore të afërt. Mes kaosit global, mesazhi është i qartë: duhet të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara. Në “The Stranger”, Meursault pranon absurditetin; në “Sirāt”, personazhet duket se zgjedhin të “vallëzojnë” përmes tij.

Në buzë të humnerës, Friedrich Nietzsche e dinte se ajo që ka rëndësi janë lëvizjet e duhura.

“Nuk e di çfarë mund të dëshironte më shumë shpirti i një filozofi sesa të ishte një valltar i mirë.”

The Guardian