Kujtim Shala ia ka ofruar dorëzimin e mandatit të deputetit Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pasi që ka shprehur qëndrimin se nuk e voton kandidatin për President, Bekim Sejdiu, ka thënë deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

Gashi, në një intervistë për emisionin Debat Plus që transmetohet në RTV Dukagjini, ka thënë se njëjtë do të vepronin edhe pesë deputetët e tjerë që e refuzuan Sejdiun, por theksoi se Abdixhiku nuk pranoi.

“E vërtetë. Ka qenë rrugë që kanë pasë me e deklaru nëse e konsideron të arsyeshme. Po nuk ka leju, e ka ndërprerë te Kujtimi. Ka thënë nuk pranoj”, tha Gashi.

“I keni mendimet e juaja, vazhdoni”, citoi Gashi Abdixhikun.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdixhiku tha se deputetët refuzues ndaj Sejdiut, së paku duhet që të jepnin dorëheqje.

“Secili që nuk i respekton vendimet e organeve të LDK-së më së paku duhet përfaqësues i LDK-së. Nëse asgjë tjetër, do duhej ta dorëzonin mandatin e deputetit. Asnjërit nuk i kam kërkuar”, tha Abdixhiku.

Përveç Gashit dhe Shalës, deputetët e tjerë që refuzuan Sejdiun janë Avdullah Hoti, Hykemte Bajrami, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri.