Gjykata Speciale nuk e njeh fjalën “i pafajshëm”.
Atje, shprehja “shpallesh i pafajshëm” nuk është dëgjuar asnjëherë në sallën e gjyqit.
Secili i akuzuar që i ka dalë para një Trupi Gjykues në Hagë është dënuar.
Në këto 6 vjet, në Gjykatën Speciale janë gjykuar 11 persona.
11 prej tyre janë dënuar. Pra, 100 për qind e tyre.
Deri më 16 shtator, të dënuar ishin Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Salih Mustafa – Cali, Pjetër Shala, Haxhi Shala, Sabit Januzi e Ismet Bahtijari.
Cali e Pjetër Shala u dënuan për krime lufte, ndërsa të tjerët për pengim drejtësie.
Më 16 shtator u dënuan edhe krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ajo çfarë ka ndodhur në Hagë, në rastin e UÇK-së, sa i përket përqindjes së dënimeve ndaj të akuzuarve, nuk ka ndodhur as në Gjyqin e Nurembergut në Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore.
Rodney Dixon, avokat i Kadri Veselit, shembullin e Nurembergut e kishte përmendur edhe në fjalën e tij përfundimtare.
Ai do të tregonte se si Nurembergu, ndonëse i kritikuar gjerësisht, megjithatë, shpalli të pafajshëm 3 nga 22 të akuzuarit dhe këtë e bëri sepse nuk u arrit të provohej përfshirja në krime e atyre tre personave.
Në të vërtetë, shembuj të tillë, ku drejtësia, në mungesë të provave, nuk rrëshqet në dënime vetëm për ta arsyetuar veten, ka edhe nga shumë tribunale të tjera.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dënoi 93 persona e liroi 18 të tjerë.
Ndërsa, Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ruandën dënoi 61 individë, ndërkaq shpalli të pafajshëm 14 të tjerë.
Përveç se nuk e ka shpallur askënd të pafajshëm, Gjykata Speciale ka dhënë dënime tepër të mëdha ndaj luftëtarëve të UÇK-së.
Specialja e dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqin po ashtu me 25, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13.
Cali ishte dënuar më 26 vjet burgim, por Apeli e kishte zbritur në 22 vjet, ndërsa pas rishqyrtimit dënimi përfundimtar u bë 15 vjet.
Pjetër Shala ishte dënuar me 18 vjet, por Apeli e kishte ulur dënimin në 13 vjet.
Qytetarët e Kosovës e kanë kundërshtuar vendimin e Speciales ndaj krerëve të UÇK-së. Ata që nga 16 shtatori janë duke protestuar kundër këtij aktgjykimi.









