Asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur të enjten, kanë votuar pro bartjes së mjeteve vetanake të vitit të kaluar në vitin 2025, të cilat kapin vlerën e 28 milionëve.

Për bartjen e mjeteve ishin 38 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim. Për votuan të gjithë partitë politike që janë të përfaqësuara në asamblenë komunale – Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvzja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe të tjerat.

Pas votimit, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, falënderoi të gjithë asamblistët që votuan për t’i zhbllokuar proceset në kryeqytet.

“Ju falënderoj edhe njëherë të gjithë asamblistëve prezent që e votuan këtë bartje, e cila do t’i ndihmojë kauzës tonë për me i zhblloku proceset në kryeqytet. Uroj edhe njëherë që edhe 35 milionë të zhbllokohen nga Ministri në detyrë i Financave”, tha Rama.

Pas këtij votimi, pritet që t’i hapet rruga e pagesave të faturave që Komuna e Prishtinës ka obligime ndaj kompanive publike. Ndër to, edhe ndaj Trafikut Urban, të cilët kanë pezulluar qarkullimin që nga e hëna.