Vushtrria, qyteti i vjetër i kulturës dhe sportit, do t’i nënshtrohet balotazhit për zgjedhje lokale këtë të diel të 9 nëntorit. Raundi i parë la në garë kryetarin aktual nga PDK-ja, Ferit Idrizi, dhe kundër-kandidatin e tij nga VV-ja, Sylejman Meholli, i cili ka bashkuar forcat me ish-kryetarin e kësaj komune, Xhafer Tahirin, i cili bëri koalicion pa miratimin e kryesisë qendrore të LDK-së.

Idrizi hyn në garë si fitues në raundin e parë me 13 mijë e 799 të votave apo 45.24%, ndërsa Meholli si i dyti me 9 mijë e 399 vota apo 30.81%. Të dy këta kanë lënë jashtë garës zyrtare Xhafer Tahirin e LDK-së, që mori 6 mijë e 51 vota apo 19.84%, Xhevahire Izmakun e Nismës për Kosovën, që mori 741 vota apo 2.43%, Mensut Ademin e AAK-së, që mori 290 vota apo 0.95% dhe kandidatin e pavarur, Shaban Miftari, që mori 225 vota apo 0.74%.

Historiku i zgjedhjeve në Vushtrri

Zgjedhjet e vitit 2007: Fillimi i epokës së Bajram Mulakut

Në raundin e parë të vitit 2007, qytetarët i dhanë 7 mijë e 471 vota Bajram Mulakut të PDK-së, 4  mijë e 980 Muharrem Shabanit të Iniciativës Qytetare Bashkimi Demokratik dhe 4 mijë e 16 vota kandidatit të LDK-së.

Kështu, Mulaku dhe Shabani hyrën në raundin e dytë. Mulaku fitoi garën duke grumbulluar 7 mijë e 697 vota apo 56.99%, ndërsa Shabani mbeti i dyti me 5 mijë e 808 vota apo 43.01%.

Zgjedhjet e vitit 2009: Bajram Mulaku 2.0

Edhe zgjedhjet e vitit 2009 në Vushtrri nuk përfunduan me të parën. Mulaku dhe Shabani, që tashmë garonte për AAK-në, kaluan në raundin e dytë, pasi me 12 mijë e 522 vota (48.96%) dhe 6 mijë e 777 vota (26.43%) respektivisht, lanë mbrapa Ibush Jonuzin e LDK-së, i cili mori 5 mijë e 20 vota apo 19.58%.

Në raundin e dytë, Bajram Mulaku fitoi 12 mijë e 331 vota, duke tejkaluar kështu përqindjen e nevojshme me 62.78%, ndërsa Shabani mori 7 mijë e 312 apo 37.22% të votave totale.

Zgjedhjet e vitit 2013: Bajram Mulaku 3.0

Edhe në vitin 2013, qytetarët e Vushtrrisë iu drejtuan kutive të votimit dy herë. Në herën e parë, ata i besuan Bajram Mulakut të PDK-së hiç më pak se 11 mijë e 838 vota apo 38.99%, Muharrem Shabanit të koalicionit AAK-LDD 6 mijë e 801 vota apo 22.4% dhe Refik Ramajt të LDK-së 6 mijë e 722 vota apo 22.14%.

Në raundin e dytë, klasikja Mulaku-Shabani përfundoi edhe me fitoren e tretë të Bajram Mulakut, i cili mori 10 mijë e 329 vota, ndryshe 55.2% dhe la kështu prapa Muharrem Shabanin, i cili mori 8 mijë e 384 vota apo 44.8% të tyre.

Zgjedhjet e vitit 2017: Rokada e koalicionit LDK-VV dhe rrëzimi i PDK-së

Si çdo herë, Vushtrria shkoi në balotazh edhe në vitin 2017. Në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve, Ferit Idrizi, i besuari i ri i PDK-së, doli i pari duke arkëtuar 10 mijë e 184 vota apo 33.29%, i pasuar nga Xhafer Tahiri i LDK-së me 7 mijë e 842 vota apo 25.64% dhe Besim Muzaqi i LVV-së me 7 mijë e 679 apo 25.1%.

Në raundin e dytë, koalicioni i Xhafer Tahirit dhe Besim Muzaqit u tregua i suksesshëm në përfundimin e qeverisjes tre-mandatëshe të PDK-së, duke grumbulluar 54.24% me 15 mijë e 122 vota e duke lënë Idrizin të dytin me 12 mijë e 758 të votave apo 45.76%.

Zgjedhjet e vitit 2021: Ferit Idrizi rikthehet si fitues

Raundi i parë i zgjedhjeve të vitit 2021 e vendosi Ferit Idrizin e PDK-së të parin me 10 mijë e 247 vota apo 34.81%, të dytin Xhafer Tahirin e LDK-së me 9 mijë e 956 vota apo 33.82% dhe të tretin Arsim Rexhepin e VV-së me 7 mijë 667 vota apo 25.1%.

Në raundin e dytë, Idrizi arriti ta mposhtë Tahirin e pas prishjes së koalicionit me VV-në, duke grumbulluar 13 mijë e 414 vota apo 53.19%, me Tahirin që i mbeti pas me 11 mijë e 806 vota apo 46.81%.

Balotazhi i 9 nëntorit 2025

Në balotazhin e 9 nëntorit, gara do të zhvillohet mes kandidatit të PDK-së dhe atij të Vetëvendosjes. Ferit Idrizi, i cili po kërkon një mandat të dytë, përballet me koalicionin që dikur ia ndaloi udhëheqjen me Vushtrrinë, VV-LDK, që tani kanë për kandidat Sylejman Mehollin.