Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se qëndrimet e partisë që ai e drejton janë publike sa i përket votimit të qeverisë së re, derisa njoftoi se nuk janë kontaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Besoj për më shumë flasim pas seancës. Qëndrimet tona janë publike. Jo nuk jam kontaktuar”, tha Limaj në hyrje të Kuvendit.

Ndryshe, sot (e diel), Kurti do të paraqesë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës përbërjen e Qeverisë së re. Por, për t’u rizgjedhur Kryeministër i Kosovës, atij i duhen 61 vota, të cilat, në bazë të asaj që dihet, nuk i ka.

Kurti, para disa ditësh, la të nënkuptojë se nuk i ka 61 votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re. Gjatë një takimi me bashkatdhetarë në Londër, ai tha se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’ua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, deklaroi ai.

Kurti u mandatua nga Osmani më 11 tetor. Ai ka afat deri të dielën për ta paraqitur para Kuvendit përbërjen e re të qeverisë së tij.

Nëse Kurti nuk i merr 61 vota, atëherë Osmani duhet që brenda 10 ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Në rast se as në përpjekjen e dytë nuk zgjidhet qeveria, e para vendit duhet të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.