Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kanë nisur komunikimet me partitë për çështjen e Presidentit. Ai nuk ka përmendur nëse pjesë e negociatave do të jetë edhe propozimi për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur një marrëveshje në mënyrë që javën e ardhshme të kemi President”, tha Kurti këtë të premte para gazetarëve.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e datës 23 shtator ka konstatuar se afati për zgjedhjen e Presidentit do të skadojë më 06 tetor.

“TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në anën tjetër, PDK ka propozuar ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, i cili nuk është trajtuar ende nga pushteti.