Klestor Veseli, i biri i ish-Kryeparlamentarit, Kadri Veseli, i dënuar me 18 vjet heqje lirie nga Gjykata Speciale, ka thënë se verdikti i dhënë nga gjyqtarët në Hagë ishte “diçka që ai dhe të tjerët i ishin frikësuar”. Përmes disa postimeve në profilin e tij në Instagram, Veseli shkroi se familja e tij dhe Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ishin të frikësuar nga politika, jo nga drejtësia.
“As unë, as familja ime, as familja e axhit Hashim, as ajo e bacës Jakup, e as ajo e axhës Rexhë nuk jemi frikësu nga drejtësia, por nga politika”, shkroi Veseli.
“Ata burra, prindërit tanë, padyshim se janë të pafajshëm, por në këtë rast sinqerisht mu krijua përshtypja se nuk ishte çështje e gjykimit të fajësisë apo pafajësisë, është çështje e pyetjes:Si mund ta justifikojmë një dënim për këta burra?”, shton.
Familja, siç thotë ai, beson të vazhdon në botën perëndimore dhe në faktin se shkalla e dytë në Gjykatë të Apelit do ta korrigjojë vendimin e shkallës themelore.
“Përballë kësaj padrejtësie, ne vazhdojmë të besojmë në botën perëndimore, vazhdojmë të besojmë se Apeli do e korrigjojë këtë vendim kaq të zhytur me politikë dhe padrejtësi, komplet kundër vlerave që përfaqëson bota e perëndimit”, shkroi në fund Veseli.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi u dënuan me 81 vjet burg në total nga Gjykata Speciale.
Thaçi e Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 e Selimi me 13 vjet.









