A do t’ua merrte mendja që dikush që flet kështu si Albin Kurti këtu do të bëhej pengesa kryesore për hetimin dhe dënimin e kriminelëve të luftës në Kosovë?
Që gjashtë vjet në pushtet, Albin Kurti dhe ministret e tij të Drejtësisë, Albulena Haxhiu e Donika Gërvalla, nuk kanë bërë diçka fare të thjeshtë.
Një ndryshim të vogël në legjislacion që do të mundësonte hetime efikase për krime lufte, sepse aktualisht, besoni ose jo, Prokuroria i heton krimet e luftës vetëm mbi një kornizë ligjore e cila është për korrupsion dhe krim të organizuar.
E në Kosovë nga Qeveria Kurti nuk është nxjerrë bash kurrfarë kornize e posaçme.
Pra, Qeveria nuk ka bërë as një regjim procedural të veçantë për krimet e luftës, një kapitull për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocidit e të tjera, thjesht ka një nen të përgjithshëm në Kodin e Procedurës Penale.
Dhe, prapë e pabesueshme, Ligji për Prokurorinë Speciale parashikon Departament për Hetimin e Krimeve të Luftës, por neni për njësinë speciale hetimore të Policisë e lidh ndihmën e saj me korrupsion e veprat kundër detyrës zyrtare, jo shprehimisht me krimet e luftës.
Si mund të hetohen krimet e luftës me efikasitet, kur për hetim prokurorët duhet të përdorin nene për korrupsion?
Një qeveri që seriozisht e ka hetimin e krimeve të luftës, gjëja e parë që do ta bënte, ama gjëja e parë, është përmirësimi i legjislacionit për këtë punë.
Kurti s’e ka bërë.
E si mundet t’u kërkojë llogari prokurorëve, madje t’i krahasojë me kërmij, kur vetë nuk ka bërë as lëvizje breshke.
Ndonëse ka pushtet absolut tash e sa kohë, as ai as ministret e tij nuk e ndihmuan Prokurorinë Speciale në harmonizimin e kornizave ligjore për hetim më të lehtë dhe më të shpejtë të krimeve të luftës.
Madje, këtë nuk e ka bërë as kur ia kërkuan edhe nga vetë Departamenti për Krime Lufte.
Do të ishte kaq e thjeshtë të bëhej kaq shumë.
Veç disa ndryshime në legjislacion duhen.
Po Kurti nuk po i bën.
Pra, nuk mundëson hetim efikas, ndonëse kërkon efikasitet në hetim.
Do të ishte mirë të na tregonte së paku:
PSE?








