Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Altin Krasniqi, ka përkujtuar gjashtëvjetorin e arrestimit të babait të tij, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili më 16 shtator 2026 u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Altin Krasniqi ka shprehur dhimbjen për gjashtë vjetët që babai i tij po i kalon larg familjes, duke thënë se pas aktgjykimit të 16 shtatorit, gjithçka është bërë edhe më e rëndë.

“Babë, sot u bënë 6 vjet… Asnjëherë nuk e kam pasur më të vështirë se këtë herë të shkruaj për këtë ditë”, ka shkruar ai.

Deputeti ka thënë se babai i tij e ka merituar që pleqërinë ta kalonte pranë familjes, në shtëpinë e tij dhe mes njerëzve të dashur.

“Ti e ke merituar, babë, që pleqërinë ta kaloje pranë mamit, në shtëpinë, mes fëmijëve e njerëzve të tu. E ke merituar t’i shijosh ditët pa brenga, ta pish kafenë në qetësi”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se familja vazhdon ta presë kthimin e tij, pavarësisht viteve të kaluara dhe dhimbjes që, sipas tij, është shtuar pas aktgjykimit.

“Ne ende të presim. Ende shpresojmë. Ende besojmë se do të vijë dita kur kjo pritje do të marrë fund dhe ti do të kthehesh aty ku e ke vendin: në shtëpinë tënde, pranë mamit, pranë nesh”, ka shkruar ai.

Në fund, Altin Krasniqi ka thënë se asnjë padrejtësi nuk mund ta shuajë dashurinë e familjes për të atin.

Jakup Krasniqi u arrestua më 4 nëntor 2020 në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Më 16 shtator 2026, ai u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.