Një autokolonë diplomatike e nivelit të lartë kishte vizituar më 6 korrik 1998 Prekazin, duke shënuar kështu nisjen e një monitorimi për të parë zonat e goditura nga lufta.
Richard Miles, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, dhe Yuri Kotov, ambasador i Rusisë në Beograd, ishin dy nga diplomatët që vizituan Prekazin.
“Patrullimet e vërteta do të fillojnë nga fundi i javës. … Dhe në atë moment do të jenë të përditshme, me shumë patrullime çdo ditë”, kishte thënë asokohe Richard Miles, transmetonte asokohe Los Angeles Times, shkruan VoxKosova.
Miles, së bashku me ambasadorin rus në Jugosllavi, drejtonte autokolonën në një Chevrolet të blinduar, të zbukuruar me flamuj amerikanë dhe rusë.
VoxKosova, përmes Reuters, sjell fotografi të ditës së vizitës, ku shihet ambasadori rus para shtëpisë së rrënuar të familjes Jashari dhe Chevrolet-i që i printe autokolonës.

“Nëntë makina diplomatike dhe më shumë se 20 automjete që transportonin gazetarë kaluan nëpër tre postblloqe qeveritare, të ruajtura nga policë serbë të tensionuar, të armatosur me pushkë gjysmë-automatike AK-47. Autokolona kaloi gjithashtu pranë armatimeve të ndryshme qeveritare, përfshirë të paktën dy transportues të blinduar personeli dhe një mitraloz të rëndë. Por, në turin e saj kryesisht simbolik prej mbi 100 kilometrash vajtje-ardhje, ajo nuk hyri në territorin e kontrolluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, grupi rebel që kërkon pavarësinë e Kosovës”, shkruante gazeta.
Kjo forcë guerile, raportonte kjo gazetë, e organizuar lirshëm dhe e përbërë nga shqiptarë etnikë, kontrollonte rreth një të tretën e territorit të Kosovës, ku 90% e popullsisë është shqiptare etnike.
“Të paktën 40 ekspertë diplomatikë dhe ushtarakë, të cilët zyrtarisht do të jenë të lidhur me ambasadat në Beograd, pritet të vendosen në Kosovë deri në mesin e korrikut për të monitoruar konfliktin midis shqiptarëve etnikë me prirje separatiste dhe forcave të sigurisë së qeverisë jugosllave, kryesisht serbe. Këta monitorues pritet të përfshijnë rreth 12 deri në 15 amerikanë, katër prej të cilëve tashmë kanë mbërritur”.

Los Angeles Times shkruante se diplomatët në autokolonën e së hënës ndaluan në fshatin Prekaz për të parë nga afër llojin e shkatërrimit.
“Një sulm i marsit ndaj fshatit nga policia serbe vrau rreth 80 shqiptarë etnikë, përfshirë fëmijë. Ky veprim solli një valë rekrutësh të rinj në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në rritje të shpejtë, dhe ndihmoi në ndezjen e një vale përleshjesh pothuajse të përditshme midis grupit dhe forcave qeveritare. Të paktën 300 persona janë vrarë në luftime dhe dhjetëra mijëra kanë braktisur shtëpitë e tyre”.
Prekazi, rreth 40 kilometra në jugperëndim të Prishtinës, ka ndryshuar pak që nga përfundimi i luftimeve të marsit, përveç faktit se bari i ri dhe ferrat mbulojnë varret e disa prej të vrarëve.
“Fshati mbetet një qytet fantazmë me shtëpi të rrënuara dhe fusha të mbuluara nga barërat”.
Përveç Miles dhe ambasadorit rus Yuri Kotov, autokolona e së hënës përfshinte ambasadorë ose diplomatë të tjerë të nivelit të lartë nga Franca, Italia, Norvegjia, Polonia dhe vende të tjera. Shumica e konsideruan përpjekjen e tyre si të suksesshme.
Ambasadori rus citohet të ketë thënë se “ishte i kënaqur me misionin dhe besoj se herën tjetër do të jetë edhe më mirë”.
“Patrullimet do të jenë një ‘faktor stabilizues’ në Kosovë”, shtoi ai.
Ambasadori francez Stanislas Filliol thoshte se roli i vëzhguesve diplomatikë “është kuptuar mirë nga të dyja palët, gjë që është shumë inkurajuese. … Dhe mendoj se gradualisht do t’i ulin luftimet”./VoxKosova









