Ministria e Drejtësisë ka dhënë një kontratë në vlerë prej 5,490.50 euro për shërbimin e pastrimit të automjeteve të saj dhe njësive që funksionojnë në kuadër të saj.

Kontrata për “Shërbimin e pastrimit të automjeteve të MD dhe njësive të saj” është dhënë më 2 shtator 2026, ndërsa data e planifikuar për nënshkrimin e saj ishte 3 shtatori.

Sipas të dhënave të publikuara në sistemin e prokurimit elektronik, në këtë procedurë është pranuar vetëm një ofertë, shkruan Demokracia.com.

Kontrata i është dhënë kompanisë AJANI & ADAMI SH.P.K., me adresë në Prishtinë.

“Numri i tenderëve të pranuar: 1… Emri zyrtar: AJANI & ADAMI SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 5,490.50 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Tenderi ka të bëjë me pastrimin e automjeteve të Ministrisë së Drejtësisë dhe njësive të saj, ku përfshihen veturat dhe xhipat 4×4, automjetet kombi dhe kamionët.

Sipas dokumentacionit të tenderit, Ministria e Drejtësisë dhe njësitë e saj kanë gjithsej 171 automjete.

Prej tyre, Ministria e Drejtësisë ka 29 automjete, Shërbimi Korrektues i Kosovës 117, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar 4, Shërbimi Sprovues i Kosovës 10 dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore 11 automjete.

Nga numri i përgjithshëm, 123 janë vetura dhe xhipa, 44 automjete kombi dhe katër kamionë.

Dokumentacioni parasheh larjen e automjeteve brenda dhe jashtë, larjen vetëm nga jashtë, si dhe pastrimin e brendshëm gjeneral, përfshirë ulëset, tapicerinë e dyerve dhe pjesë të tjera të brendshme.

Sasitë e përcaktuara në tender janë indikative dhe mund të kenë devijim deri në plus/minus 30 për qind.

Po ashtu, sipas kushteve të tenderit, larja e një automjeti nuk duhet të zgjasë më shumë se 45 minuta nga momenti i dorëzimit të tij te operatori ekonomik.