Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i thënë partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, se “propaganda për sukses ekonomik nuk e mbush shportën e konsumit të familjeve”.
Këto komente, Hoti i ka bërë përmes një postimi në Facebook, ku ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për rritjen e kostos e jetesës, e cila, siç theksoi ai, është rritur për 45 për qind.
Ai ka publikuar edhe një listë të disa produkteve bazë, duke ia krahasuar çmimet e vitit 2021 dhe të 2026-së, ku shihet që janë rritur ndjeshëm.

“Buxheti nuk matet me shifrat në letër, por me cilësinë e jetës së qytetarëve. Në pesë vitet e fundit, sipas ASK-së, kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45%, ndërsa për shumë produkte të konsumit familjar çmimet gati janë dyfishuar”, shkroi Hoti.
Kur çmimet dyfishohen, Hoti përmend faktin se jeta e qytetarëve bëhet më e vështirë. “Qeveria mund të prezantojë shifra miliardëshe, por realiteti matet me koston e konsumit familjar, matet me koston që çdo vikend familja paguan në arkën e marketeve”.
Debati që duhet të bëhet në Kuvend me rastin e diskutimit të buxhetit 2027-2029, sipas Hotit duhet të përqendrohet në këto çështje: “Çfarë ka ndodhur me koston e jetës së qytetarëve? Kush mban përgjegjësi për këtë dhe çfarë mund të bëhet për të lehtësuar këtë barrë?”.









