Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, u tregua i ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh burgim për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si të pabazë dhe si përpjekje për njollosjen e luftës çlirimtare dhe të vetë popullit të Kosovës.

Në reagimin e tij, Kamberi thekson se me këtë qasje nuk synohet dënimi i individëve të veçantë, por goditja e sakrificës kolektive të shqiptarëve të Kosovës.

“Prokuroria Speciale nuk po tenton të dënojë individë, por sakrificën, angazhimin dhe vetëflijimin e shqiptarëve të Kosovës në rrugën e tyre drejt lirisë dhe çlirimit nga shtypja, masakrat dhe mizoritë e regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviqit”, ka deklaruar ai.

Sipas Kamberit, nëse qëllimi do të ishte vendosja e drejtësisë, atëherë përgjegjësia penale do të duhej të kërkohej tek ata që projektuan dhe zbatuan politikat e dhunës dhe spastrimit etnik. “Dënime kaq të rënda do të duhej të kërkoheshin për ata që projektuan dhe zbatuan krimet, e jo për çlirimtarët e Kosovës”, ka theksuar deputeti shqiptar.

Në fund, Kamberi ka vlerësuar se dënime të tilla janë të papranueshme për ata që luftuan për lirinë e Kosovës.

“Për çlirimtarët e Kosovës janë shumë edhe 45 ditë burgim, e lëre më 45 vite. Vendi i tyre është në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit që e mbrojtën, jo pas grilave të burgut”, ka përfunduar ai.