Gjykata e Apelit e Kosovës ka marrë vendim që procedura penale ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, për pesë vepra penale të vazhdohet sipas dispozitave ligjore. Në këtë formë, Apeli ka konfirmuar pesë akuzat ndaj Krasniqit për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, si dhe një akuzë për “zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Vendimi në fjalë nënkupton konfirmimin në tërësi të aktakuzës së Prokurorisë Speciale.
“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, PS.nr.111.2024, i datës 23.04.2025, ashtu që procedura penale ndaj të akuzuarit Nagip Krasniqi për katër vepra penale në bashkëkryerje, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, një vepre penale, Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, parashikuar nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të KPRK-së, dhe një vepre penale, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare nga neni 426, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së, vazhdohet sipas dispozitave të procedurës penale të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor”, thuhet në vendimin e Apelit që e ka publikuar Betimi për Drejtësi.
Shkalla e dytë kësisoj ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila kishte hudhur poshtë akuzën për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” ndaj Nagip Krasniqit. Akuza në fjalë, Krasniqit, i ishte vënë në barrë pasi në komunikim e sipër me personin jo-zyrtar, Dejona Mihalin, kishte zbuluar informacione të ndjeshme të cilat kualifikohen si “fshehtësi zyrtare”.
Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha si ushtrues detyre i zyrës së prokurimit si dhe Isuf Zejna si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, i kishin shkaktuar dëm prej 37 milionësh buxhetit të Kosovës përmes veprimeve të tyre korruptive.