Hera e parë dhe e fundit kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka folur për kompaninë “Apetit” ishte dita kur mediat raportuan se autoritetet malazeze kishin ndaluar 103 tonë mish të skaduar nga Brazili, të cilin kompania “Apetit” po tentonte ta fuste në Kosovë.
Tri javë më vonë, as Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e as ministri i Bujqësisë, Armend Muja, nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë rast. Çfarë masash janë ndërmarrë apo pritet të ndërmerren?
VOX Kosova ende po pret përgjigje nga institucionet për pyetjet e drejtuara lidhur me këtë rast.
Dogana e Malit të Zi, po ashtu, kishte njoftuar se vetë punëtorët e kompanisë nga Kosova ishin angazhuar për t’i ndërruar etiketat me afatin e skaduar të mishit në portin e Tivarit.
Megjithatë, Armend Muja nuk e mori mundimin të reagonte, e as Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme.
Kujtojmë se Armend Muja kishte mbajtur disa konferenca dhe kishte bërë disa statuse kur bëhej fjalë për dyshimet se në qumështin në Kosovë kishte vaj palme të padeklaruar, por kësaj here ai po zgjedh heshtjen.









