Tri ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Qeveria në detyrë ua ka alokuar nga 100 euro studentëve të Kosovës, për të cilat ishte marrë vendim nga ekzekutivi më 7 tetor.

Pasi që janë ndarë parat, studentëve u ka shkuar edhe një mesazh në telefonin e tyre nga Zyra e Kryeministrit, i shkruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Mesazhi i Kurtit për studentët.

Përveç mesazhit, Kurti për këtë ka shkruar edhe në Facebook. “Sot është procesuar pagesa për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të shumës së njëhershme prej 100 eurove, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik”, shkroi ai.

Kreu i ekzekutivit theksoi se janë gjithsej 49 mijë e 623 studentë përfitues të të gjitha drejtimeve e institucioneve arsimore, publike e private që janë procesuar me grupin e parë.

“Pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret për përfitim do të shqyrtohen dhe procesohen me grupin e dytë në ditët në vijim. Me qeverinë tonë, studentët çdoherë do të kenë mbështetjen e shtetit”, potencon Kurti.

Ky vendim, nga opozita dhe pjesëtarë të shoqërisë civile është konsideruar si një tentativë për “blerje votash”.