Policia e Kosovës ende nuk e ka arrestuar Albert Sylajn, të dyshuarin për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra me sëpatë në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, mbrëmjen e 25 tetorit.

Më shumë se 24 orë pas vrasjes, i dyshuari, që është kunati i viktimës, vazhdon të jetë në arrati. Policia e Kosovës e ka shpallur atë në kërkim.

Arlinda Zekaj u vra vetëm pak minuta pasi u kthye në shtëpi nën shoqërimin e Policisë, pasi paraprakisht kishte raportuar dhunë në familje dhe ishte intervistuar nga zyrtarët policorë.

Vrasja e saj ndodhi pavarësisht se ajo kishte kërkuar disa herë mbrojtje nga institucionet e drejtësisë, përmes letrave të dërguara në Prokurori dhe Gjykatë.

Vetëm tri ditë para se të vritej, Arlinda i ishte drejtuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetajt, duke kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.

“Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo.

Gjykata kishte lëshuar urdhër për mbrojtjen e Arlindës, duke ia ndaluar Albert Sylajt afrimin ndaj saj në distanca të përcaktuara. Megjithatë, ky urdhër nuk arriti ta mbronte nga vrasja.

Rasti tregon dështim për reagimin e institucioneve, përfshirë Qendrën për Punë Sociale, Prokurorinë, Gjykatën dhe Policinë, të cilave Arlinda u ishte drejtuar për ndihmë.

Ajo kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik, por thirrjet e saj nuk u pasuan me mbrojtjen që i nevojitej.

“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”, kishte shkruar Arlinda në letrën e saj.