Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i ka kërkuar Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, që ta tërheqë deklaratën e bërë të hënën në emisionin “Interaktiv” në KTV, ku pretendoi se Lushtaku ka pasur për qëllim ta godiste autokolonën e tij janarin e vitit 2025 në Skenderaj.

Lushtaku, përmes avokatit të tij, Labinot Vata, e ka konsideruar këtë deklaratë shpifëse dhe ka kërkuar nga Kurti që të kërkojë falje publike dhe, të gjitha këto, Lushtaku ka thënë se duhet të bëhen brenda 24 orëve, në të kundërtën do të ndërmarrë hapa ligjorë.

“Në rast se nuk ndërmerren veprimet e kërkuara brenda afatit të arsyeshëm ligjor, z. Sami Lushtaku rezervon të drejtën për inicimin e procedurave civile për kompensimin e dëmit moral dhe reputacional, si dhe ndërmarrjen e të gjitha mjeteve juridike të parapara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në kërkesën e Lushtakut.

Deklarimet e Kurtit, avokati i Lushatkut ka thënë se janë tendencioze dhe dëmtuese për reputacionin e tij publik.

Kërkesa e plotë e Lushtakut për Kurtin:

Për tërheqje të deklaratës shpifëse, publikim të përmirësimit dhe kërkim falje publike ndaj z. Sami Lushtaku

Ne, në cilësinë e përfaqësuesit me autorizim të z. Sami Lushtaku, përmes Avokatit Labinot Vata, ju drejtohemi lidhur me deklaratat tuaja publike të dhëna me datë 18.05.2026 në emisionin “Interaktiv” në KTV, nga minuta 35:30 e tutje, në këtë intervistë, ku ndër të tjera keni deklaruar:

“Kryetari i Komunës së Skenderaj, me veturë zyrtare, 2Z, ka synuar që të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën ku isha unë… ka synu që ta ndërpresë qarkullimin e eskortës tonë, në mënyrë të dhunshme, me veturë zyrtare të Komunës së Skenderaj… ka pas tentim për rrezik.”

Deklarimet e mësipërme janë të rënda, tendencioze dhe shpifëse ndaj z. Sami Lushtaku, duke cenuar drejtpërdrejt nderin, integritetin personal, reputacionin publik dhe figurën e tij politike e shoqërore.

Përmes këtyre deklarimeve, Ju keni atribuar publikisht ndaj z. Sami Lushtaku sjellje të rrezikshme, të dhunshme dhe potencialisht kundërligjore, pa ekzistuar ndonjë vendim gjyqësor, akt përfundimtar institucional apo provë juridikisht e konfirmuar që do të mbështeste pretendime të tilla.

Përdorimi i shprehjeve si:

• “Ka synuar të bëjë ndeshje komunikacioni”;

• “Ta ndërpresë qarkullimin në mënyrë të dhunshme”;

• “Ka pas tentim për rrezik”;

Këto deklarime i atribuojnë drejtpërdrejt z. Sami Lushtaku veprime me natyrë të rrezikshme dhe kriminalizuese, duke krijuar në opinion publik perceptim të dëmshëm, paragjykues dhe denigrues ndaj tij, e cila është shpifje drejtuar z. Sami Lushtakut.

Këto deklarime bëhen edhe më të rënda për faktin se janë dhënë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, në një medium kombëtar me shikueshmëri të gjerë, çka u jep atyre peshë të veçantë institucionale dhe ndikim të madh publik.

Ju rikujtojmë se Ligji Nr. 02/L-65 për Shpifjen dhe Fyerjen parasheh detyrimin për zbutjen e dëmit dhe të drejtën për reagim para inicimit të procedurave gjyqësore, konkretisht, neni 12 i këtij ligji përcakton se: “Para parashtrimit të një padie sipas këtij Ligji, një person që pretendohet të jetë i dëmtuar do të ndërmarrë të gjitha masat e arsyeshme për të zbutur çdo dëm të shkaktuar nga shprehja. Në veçanti, paditësi do të kërkojë përmirësimin e asaj shprehje nga personi i cili pretendohet të ketë shkaktuar dëmin”.

Në përputhje me këtë dispozitë ligjore dhe në frymën e zbutjes së dëmit, z. Sami Lushtaku, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, kërkon nga Ju:

1. Të tërhiqni publikisht deklaratat e bëra në emisionin “Interaktiv” të datës 18.05.2026;

2. Të publikoni përmirësim dhe sqarim publik lidhur me deklarimet e bëra ndaj z. Sami Lushtaku;

3. Të kërkoni falje publike për deklaratat e pavërteta dhe dëmtuese të adresuara ndaj tij;

4. Të përmbaheni nga deklarime të tjera të pabazuara që cenojnë personalitetin, integritetin dhe reputacionin e z. Sami Lushtaku.

5. Të gjitha këto të bëhen brenda 24 ore, nga pranimi i kësaj kërkese.

Kjo kërkesë paraqet përpjekje ligjore dhe institucionale për zbutjen e dëmit të shkaktuar dhe për evitimin e procedurave gjyqësore të mëtejshme.

Në rast se nuk ndërmerren veprimet e kërkuara brenda afatit të arsyeshëm ligjor, z. Sami Lushtaku rezervon të drejtën për inicimin e procedurave civile për kompensimin e dëmit moral dhe reputacional, si dhe ndërmarrjen e të gjitha mjeteve juridike të parapara me legjislacionin në fuqi.