Ish presidenti Hashim Thaçi ka sfiduar edhe njëherë aktakuzën kundër tij për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale.

Ekipi mbrojtës në Hagë përmes një shkrese ka pohuar se aktakuza nuk argumenton në hollësi identitetin e zyrtarëve që janë penguar në kryerjen e detyrës publike.

Sipas tyre referenca ndaj institucionit në përgjithësi nga ana e prokurorëve, bazuar në Kodin Penal të Kosovës është e pamjaftueshme për të dëshmuar shkaktimin e dëmit.

Si pikë e dytë argumentuese për rrëzimin e aktakuzës në fuqi është përmendur mungesa e specifikimit të detyrave që ish-drejtori politik i UÇK-së i ka penguar zyrtarët t’i kryejnë.

“Mbrojtja e Thaçit pohon se Aktakuza e Konfirmuar e Ndryshuar është e paqartë në lidhje me sjelljen e pretenduar penguese të tentuar, duke deklaruar vetëm se i Akuzuari “u koordinua për të ndikuar te dëshmitarët”, pa shpjeguar se si një sjellje e tillë do të “parandalonte, pengonte, pengonte ose vononte” personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre”, thuhet në shkresën e avokatëve.

Hashim Thaçi bashkë me Hajredin Kuçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun akuzohen për vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë.

Aktakuza kundër pesëshes në fjalë u konfirmua më 29 nëntor të vitit të kaluar.

Ndaj ish presidentit rëndojnë më së shumti ngarkesa penale në këtë rast, gjithësej 11.

Bashkë me ato për krime lufte, në total Specialja ka konfirmuar 21 akuza kundër tij.