Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se viti 2026 ka nisur me tarifa të rritura të ujit dhe kanalizimeve. Ai ka theksuar se përderisa tarifa është rritur, furnizimi me ujë nuk është përmirësuar.
“Në regjionin e Prishtinës, rritja është 43.85% për amvisëri dhe 40.01% për biznese. Në anën tjetër, furnizimi me ujë nuk është përmirësuar mjaftueshëm, humbjet e ujit në rrjet mbesin të larta, kompanitë e ujësjellësit vazhdojnë të kenë raporte të auditimit me plot vërejtje substanciale”, shkroi Hoti në Facebook.
Brenda këtyre tarifave të rritura, Hoti potencoi se “paguhet edhe për derdhjen e ujërave të zeza, por ato ujëra të zeza nuk trajtohen”. “Ato derdhen në lumenj”.
“Në prill pritet të shqyrtohet rritja e serishme e energjisë elektrike. Tatimi në pronë për biznese sivjet nis me rritje substanciale gjithashtu”, potencoi ai.









