Lëvizja Vetëvendosje, e cila tani po e përdor kartën e moscertifikimit të Listës Serbe në zgjedhje, në vitin 2019 kishte kërkuar që të pranoheshin votat ilegale e të kontrabanduara nga Serbia, përmes të cilave dëshironte të pamundësonte që Nisma Socialdemokrate të kalonte pragun zgjedhor prej 5 për qind për t’u bërë pjesë e parlamentit.
Pasi që Paneli për Ankesa dhe Parashtresa kishte vendosur që rreth 3 mijë votat e ardhura me postë nga Serbia për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, të mos përfshiheshin në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, e të cilat në shumicë dërrmuese ishin për Listën Serbe, partia që drejtohet nga Albin Kurti, ishte ankuar në Gjykatën Supreme për të kërkuar numërimin e tyre.
Ankesën pranë Supremes e kishin dorëzuar tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje për deputetë: Alban Hyseni, Arta Bajralija dhe Enver Haliti.
Ankesën për anulim të vendimit të PZAP-së, këta tre deputetë e kishin bërë me arsyetimin se ishin vënë “në mbrojtje të së drejtës së tyre si deputetë të zgjedhur”.
Por, edhe Supremja kishte vendosur se rreth 3 mijë votat e ardhura nga Serbia nuk do të ishin pjesë e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Si përfundim, Nisma e kishte kaluar pragun për pak vota. Ajo kishte marrë 5.002 për qind, apo 42 mijë e 83 vota. Ndërsa, VV-ja kishte mbetur me 29 deputetë.
Episodet e VV-së me moscertifikimin e Listës Serbe filluan në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me mbështetjen e anëtarëve të VV-së, nuk e certifikoi Listën Serbe si subjekt pjesëmarrës në zgjedhje.
Por, Lista Serbe – partia që dirigjohet nga Beogradi – e ankimoi vendimin në PZAP, i cili vendosi që KQZ është e detyruar ta certifikojë subjektin pasi refuzimi ishte i paarsyetuar. Ankesa nga VV u dorëzua edhe në Supreme, e cila po ashtu la në fuqi vendimin e PZAP-it, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje.
Lista Serbe nuk ishte certifikuar nga KQZ as për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Certifikimin e kësaj partie, anëtarët e VV-së e kishin kundërshtuar nën arsyetimin se disa kandidatë të saj janë të lidhur me strukturat paralele serbe.
Por, edhe kësaj radhe, PZAP-ja kishte kërkuar që të certifikohet Lista Serbe. Përsëri, VV-ja ishte ankuar në Supreme, por edhe ajo e kishte hedhur poshtë ankesën e saj.
Me po të njëjtin skenar, Lista Serbe sërish nuk u certifikua nga KQZ për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Në mbledhjen e mbajtur të martën, rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe ka marrë vetëm dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime.
Anëtarët e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi kanë votuar kundër certifikimit gjersa përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë abstenuar.









