Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me homologun e tij nga Turqia, Yaşar Güler, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit Financiar Ushtarak ndërmjet Qeverisë së Kosova dhe Qeverisë së Turqisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Enis Kervan, si dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Ministri Maqedonci theksoi se kjo marrëveshje përbën dëshmi të partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe të gatishmërisë për thellimin e bashkëpunimit në mënyrë konkrete dhe afatgjatë.

Sipas marrëveshjes, Qeveria e Turqisë do të mbështesë Kosovën me 200 milionë lira turke, të destinuara për fuqizimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe avancimin e saj institucional e profesional.