Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kujtuar 20 vjetorin e aktgjykimit të tij lirues nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, duke e konsideruar si një vendim që tregoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, e pastër dhe në mbrojtje të një populli që luftoi për të jetuar i lirë.

Limaj ka thënë se ky ballafaqim i tyre gjyqësor në Hagë ishte i gjatë dhe sfidues.

Gjykimi ndaj tij dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Isakut dhe Haredinit, Limaj rikujtoi se ishte aktakuza e parë gjyqësore në Hagë kundër pjesëtarëve të UÇK-së.

“Në atë kohë Kosova nuk ishte shtet dhe ne ishim pa asnjë përkujdesje institucionale, pa mbrojtje të organizuar, ashtu siç do të duhej ta kishim në një proces të tillë gjyqësor”, shkroi ai në Facebook.

Edhe ata si individë, edhe e vërteta e luftës çlirimtare, për herë të parë thotë se po sfidohej në nivelet e drejtësisë ndërkombëtare në Hagë.

Në gjithë këtë proces, siç thotë ai, e kishin të vërtetën e UÇK-së dhe mbështetjen e popullit.

Ai thekson se është trishtuese që edhe sot, pas 20 viteve, lufta çlirimtare vazhdon të testohet e sfidohet po në Hagë, duke iu referuar gjyqit aktual ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Akuzat, shpifjet dhe fabrikimet kundër UÇK-së nuk kanë të ndalur edhe pas 20 viteve. Unë jam i bindur që bashkëluftëtarët tanë së shpejti do të kthehen të lirë në Kosovë. Mbes me shpresë që përfundimisht të marrin fund shpifjet dhe fabrikimet për luftën tonë çlirimtare”, shtoi Limaj.

Po ashtu, “është trishtuese”, konsideron ai, “kur sheh tani që Kosova, edhe pse është shtet, po bën fare pak në mbrojtje të historisë dhe së vërtetës së vet, mbi të cilën është ndërtuar ky shtet”.

“Përjetësisht krenar me luftën tonë çlirimtare; ajo nuk mund të njolloset; ajo është e pastër si loti. Rroftë UÇK-ja! Lavdi dëshmorëve të kombit!”, përfundoi ai.