Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka përmendur intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999, si një ndër operacionet “e ligjshme ushtarake”, për të cilin nuk ka pasur asnjë nismë për shkarkimin e dikujt.

Në një konferencë për media në Pentagon, ai tha se asnjë Sekretar i Mbrojtjes, nuk është shkarkuar për udhëheqjen e operacioneve ushtarake të ligjshme.

“Asnjëherë, me apo pa rezolutë për kompetencat e luftës. As nën Reaganin në Liban, as nën Clintonin në Kosovë, as nën Obamën në Irak dhe Siri, as nën Bidenin në Irak dhe Siri. Ky është standardi”, tha Hegseth.

Pete Hegseth, sekretari amerikan i Mbrojtjes në administratën e Donald Trumpit, po përballet me një përpjekje serioze për shkarkim përmes procedurës së impeachment-it në Kongresin amerikan.

Çështja kryesore është roli i tij në luftën e SHBA-së kundër Iranit, por akuzat përfshijnë edhe disa veprime të tjera gjatë drejtimit të Pentagonit.